Kryeministri Haradinaj: Kosova kontribuese në stabilitetin rajonal dhe global

Prishtinë | 04 Qer 2018 | 13:46 | Nga

Në Konferencën për sigurinë globale, me theks të veçantë luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, e cila po mbahet në Tiranë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur rreth rolit konstruktiv dhe kontributit të Republikës së Kosovës në bashkëpunimet rajonale dhe më gjerë, në funksion të krijimit të paqes dhe stabilitetit.

Kjo konferencë ndihmon ekipin e kombeve për ta luftuar ekstremizmin e dhunshëm, tha kryeministrit Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, tha me këtë rast se komunitetet fetare dhe udhëheqësit fetarë do të vazhdojnë të jenë një nga partnerët më të rëndësishëm në luftën kundër mesazheve të ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm, dhe shtoi se do të vazhdohet të punohet ngushtë me udhëheqësit fetarë në forcimin e marrëdhënieve të komuniteteve të ndryshme fetare.

Duke folur rreth sfidave globale dhe hapave të ardhshëm në tejkalimin e tyre, kryeministri Haradinaj tha se Republika e Kosovës ka miratuar  Strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm si dhe planin e veprimit, duke qenë pjesë e angazhimeve globale të botës demokratike të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftën kundër të gjitha kërcënimeve dhe formave të ekstremizmit dhe terrorizmit.

Kryeministri Haradinaj, tha se institucionet e Kosovës janë të vendosura që të parandalojnë çfarëdo përhapje të ideologjive ekstremiste që kanë potencial të kalojnë në terrorizëm, dhe për këtë ka miratuar edhe Ligjin që iu ndalon qytetarëve pjesëmarrjen në luftërat e huaja.

Më tej, kryeministri Haradinaj tha se ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi janë dukuri të cilat nuk e kanë një atdhe, nuk e kanë një lokacion të caktuar, por po paraqesin rrezik për botën bashkëkohore, për njerëzimin, për paqen dhe sidomos për njerëzit e pafajshëm.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri Haradinaj, ritheksoi kërkesën që Republika e Kosovës të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare të sigurisë, sidomos në Interpol si dhe mundësinë e bashkëpunimit me Europolin në mënyrë që të jap kontributin e saj.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme