Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e 55-të Sigurisë e cila po i zhvillon punimet e saj në Munich të Gjermanisë, konferenca më e madhe e sigurisë në botë, ka zhvilluar një takim meKomisionerin Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike dhe ekonomike në vend, agjendën e reformave evropiane, forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, procesin e liberalizimit të vizave dhe tema tjera me rëndësi për vendin.
Kryeministri Haradinaj, e ka njoftuar komisionerin Hahn për zhvillimet politike në vend, dhe përkushtimin e Kosovës që të jetë partnere kredibile e bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë, gjithmonë, kur asaj nuk i mohohet e drejta për të vepruar si shtet i pavarur dhe sovran.
Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, kryeministri Haradinaj ka përsëritur edhe njëherë nevojën e liberalizimit të vizave si një e drejtë që u takon qytetarëve tanë dhe se Kosova tashmë ka përmbushur të gjitha kushtet dhe padrejtësisht mbetet e izoluar.
“Me liberalizimin e vizave u mundësohet qytetarëve, bizneseve, studentëve të lëvizin lirshëm, një e drejtë e mohuar padrejtësisht. Qytetarët e Kosovës, meritojnë lëvizjen e lirë si të gjithë popujt tjerë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
“Vendi ynë i gëzohet tregut të lirë, jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por në gjithë Ballkanin Perëndimor. I gëzohemi kohës kur nuk do të ketë tarifa, por njëkohësisht respekti dhe njohja reciproke, është parakusht për t’u arritur kjo”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës është e fokusuar për zhvillimin ekonomik, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe përmirësimin e klimës së të bërit biznes e cila do t’i hap rrugë tërheqjes së investimeve të huaja.
Nga ana e tij, Komisionarin Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, tha se Kosova dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, duhet të ndërtojnë relacione të fqinjësisë së mirë.
Në këtë takim i pranishëm ishte edhe Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.