Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim një delegacion të përzier të udhëhequr nga Christian Wiesenhutter, kryetar i Odës Ekonomike Gjermane – Kosovare si dhe Hans-Jurgen Muller, kryetar i Odes Gjermane – Shqiptare me seli në Berlin.
Kryeministri Haradinaj i njoftoi ata me zhvillimet në vend, për një dinamikë të re qeverisëse që fokusohet në logjikën e zbatimit të vendimeve dhe projekteve, për agjendën evropiane si dhe përkushtimin e Qeverisë për krijimin e një ambienti sa më tërheqës dhe të sigurt për investimet gjermanë por edhe atyre të diasporës sonë.
Kryeministri i Kosovës i inkurajoi dhe u bëri thirrje shefave të dy odave ekonomike për shfrytëzimin e potencialeve investuese në Kosovë, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e mëtutjeshëm të lidhjeve politike, të sigurisë dhe ekonomike me Berlinin zyrtar.
Wiesenhutter dhe Muller e përgëzuan Kryeministrin për detyrën e re dhe theksuan përkushtimin e dy odave për promovimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës. Afaristët gjermanë pasi theksuan rëndësinë e pranisë së përfaqësuesve të të dy odave në vizitë u angazhuan për thellimin e bashkëpunimit në nivel ndër-rajonal.
Shefat e dy odave respektabile e informuan kryeministrin Haradinaj për iniciativën e zhvillimit të një takimi të përbashkët ekonomik – biznesor të të dy odave, me rastin e shënimit të festave të Nëntorit.