Kryeministri holandez: BE s’duhet ta drejtojë gishtin te fajtori, por të ndihmojë për shtensionimin në veri

Prishtinë | 04 Kor 2023 | 11:22 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte tha se Bashkimi Evropian nuk duhet të bëjë me gisht për ta gjetur fajtorin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për tensionimin e situatës në veri, duke shtuar se blloku duhet të ndihmojë, në vend që të gjejë fajtorin, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri holandez tha se zgjidhja është aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në shkurt dhe mars.

Ai tha se të dyja palët ankohen se pala tjetër nuk e zbaton marrëveshjen, por shtoi se duhet implementuar çdo gjë dhe se duhet të punohet me një qasje “hap pas hapi”.

“Nuk e di nëse duhet ta drejtojmë gishtin te fajtori, te Kosova ose Serbia, sepse kjo nuk e ndihmon situatën. Ne dëshirojmë të jemi ndihmues”.

“Atë çfarë po themi është, keni bërë premtime të dyja palët – e di që ka shumë çështje të ndjeshme në këtë marrëdhënie, por besoj që çështja më kryesore dhe më e drejtë është që t’i përmbahemi udhërrëfyesit dhe planit dhe në momentin që BE fillon të gjejë fajtorë dhe të drejtojë gishtin, në momentin që e bëjmë këtë, e humbim pozicionin që të ndihmojmë”, tha Rutte.

“Unë jam historian dhe e dua historinë, dhe dëshiroj t’i shoh pse gjërat janë ashtu siç janë. Nganjëherë është shumë e rëndësishme ta shohim edhe të ardhmen”.

Rutte tha se kanë pas bisedime të gjata në Beograd dhe Prishtinë dhe se janë të gatshëm të ndihmojmë në të ardhmen e afërt “nëse mundemi”.

“Aspekti kryesor duhet të udhëhiqet nga Borrell dhe nga negociatorët e tjerë dhe konsideroj që kjo është qenësore. Isha i lumtur kur në shkurt kur me pjesëmarrjen e Gjermanisë dhe Francës arritëm një marrëveshje bazë si të lëvizim përpara dhe ishim në Maqedoninë e Veriut kur u vendos për zbatimin e saj. Por, që nga atëherë tensionet janë ngritur ende dhe tash duhet të fokusohemi në çështjen e deeskalimit dhe të udhërrëfyesit të BE-së. Besoj që kjo është më e mira dhe ne duhet të kthehemi në proces”.

“Në proces hap pas hapi, ndoshta duket i mërzitshëm, por pjesa më e mërzitshme është që ndoshta duhet të jemi duhet të implementohet hap pas hapi dhe në mënyrë të përpiktë dhe të punojmë në mënyrë të drejtë. Çështja është se udhërrëfyesi evropian duhet të merret nga të dyja palët. Jam optimistë që mendjet e ftohta do të mbizotërojnë. E kam parë në Beograd dhe këtu se të gjithë duan deeskalim të situatës”, tha ai.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme