Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pranuar një telegram urimi nga Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha.
Me këtë rast, kryeministri Jansha e ka siguruar kryeministrin Hoti se Sllovenia do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet e Kosovës për fuqizimin e sundimit të ligjit, për ndërtimin e marrëdhënieve fqinjësore në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Në telegramin e urimit të kryeministrit Jansha thuhet:
Shkëlqesia Juaj,
Më lejoni që përzemërsisht t’ju uroj për zgjedhjen tuaj si Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe t’ju uroj shumë suksese në ushtrimin e detyrave tuaja të reja.
Dëshiroj që gjithashtu ta shfrytëzoj këtë rast që ta shpreh dëshirën dhe bindjen time të plotë që marrëdhëniet miqësore dhe partneriteti ndërmjet Republikës së Sllovenisë dhe Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të fuqizohen për të mirën e popujve tanë.
Më lejoni t’ju siguroj që Sllovenia do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet e Kosovës për fuqizimin e sundimit të ligjit, për ndërtimin e marrëdhënieve fqinjësore në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Jam i bindur që do të vazhdojmë të punojmë së bashku me sukses në promovimin e vlerave të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë në vitet e ardhshme.
Ju uroj shumë suksese dhe mezi pres të bashkëpunojmë në të ardhmen.
Ju lutem pranoni, Shkëlqesia Juaj, konsideratat e mia më të larta.