Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti priti sot një grup biznesmenësh tanë, me të cilët bisedoi për hapat që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për zbutjen e pasojave ekonomike të pandemisë COVID- 19, si dhe për ndihmesën që mund të japin në këtë aspekt bizneset e bashkatdhetarëve tanë.
Gjatë këtij takimi, kryeministri Hoti ritheksoi se krahas menaxhimit të pandemisë COVID- 19, prioritet i rëndësishëm i Qeverisë së re është rimëkëmbja ekonomike e vendit.
Ndërsa, përfaqësuesit e bizneseve nga diaspora, të cilëve u printe Lazim Destani i kompanisë “Ekolog”, njëherësh president nderi i Unionit të bizneseve shqiptare në botë, pohuan se ata janë të gatshëm të investojnë dhe të ndihmojnë me tërë kapacitetet e tyre për të ndihmuar që të zbuten pasojat ekonomike të kësaj ekonomie.
Në këtë takim, po ashtu, të pranishëm ishin edhe Nazmi Viqa, nga AWR Abbruch GMBH, kryetar i Unionit të bizneseve shqiptare në Gjermani, Remzi Ejupi, pronar i “Eurokoha” dhe Skender Xhakaliu, ish-ambasador i Kosovës në Gjermani.
Kryeministri Hoti, me këtë rast, falënderoi biznesmenët tanë që këto ditë siguruan dhjetë mijë teste për COVID-19.