Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka takuar strukturat e degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Graçanicë.
Kandidati për Kryeministër, Avdullah Hoti, pasi që i falënderoi kryesinë, anëtarët dhe simpatizantët për mobilizimin e fitores së LDK-së, foli për qeverisjen e tij të deritanishme.
“Kemi dëshmuar model të mirë të qeverisjes. Pandemia, përpos sfidave shëndetësore ka sjellë edhe probleme të shumta ekonomike. Por ne që nga dita e parë jemi mobilizuar për t’u dal në ndihmë përmes pakos ekonomike dhe ligjit për rimëkëmbje.
Lidhja Demokratike e Kosovës është më e fortë se kurrë dhe do t’i demantojmë këto sondazhe që kanë për qëllim dëmtimin e LDK-së. Jam i bindur për fitore sepse në të gjitha takimet nëpër degë, kam parë entuziazëm dhe energji të jashtëzakonshme që në fund do të kthehet në fitore. Kemi qenë në të gjitha proceset e rëndësishme të shtetit dhe tani do ta mbrojmë sepse shteti është shtet”, nënvizoi Hoti.
Ai theksoi se, Graçanica dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, do të përfitojnë nga programi qeverisës i Lidhjes Demokratike të Kosovës, sepse është program përmbajtësor që synon kthimin e normalitetit në çdo sferë të jetës.
Dega në Graçanicë dhe Kryeministri Hoti nderuan me një minutë heshtje kontributin e kryetarit tanimë të ndjerë të LDK-së, në Graçanicë, Imri Ajeti dhe i dhuruan familjes mirënjohje për angazhimin e tij.