Ka indicie që Xhon Bolton, këshilltari i Sigurisë Kombëtare dhe njeriu që ushtron ndikim të fuqishëm në presidentin kontravers amerikan Donald Trump, këtyre muajve fuqishëm do mundohet ta “shtyjë” projektin e ndarjes së Kosovës, në ambientet e zyrës ovale. Projekt, ky që jo rastësisht trojka Thaçi&Vuçiq&Rama, me mish e me shpirt u patën munduar ta promovojnë në publikun e brendshëm dhe atë të jashtëm, si zgjidhja më e mirë për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Fatmirësisht, kjo ide nuk arriti të “shitet” atëbotë, madje madje as si zgjidhje “historike” e as si zgjidhje që e rritë stabilitetin midis dy kombeve historikisht të armiqësuara. Por, rreziku ende nuk ka kaluar. Dhe kalkulimet e planimetrisë globale (sidomos këto të këtij far Xhon Boltoni, me lobinë; serbo-grek), ato asaj kontinentale (hamendjet e Makronit dhe refuzimi ende kategorik i Spanjës për ta njohur pavarësinë e shpallur), e sidomos (insistimet e Serbisë, se kjo çëshjte me Kosovën nuk është përmbyllur ende) të asaj rajonale, janë duke insistuar në një zgjidhje “ku dy palët do të fitonin”! Natyrisht, Qeveria e ardhshme, kushdo që të jetë ajo, duhet që tash të përgatitet. Bile unë mendoj që sidomos kandidatët për kryeministër patjetër duhet në fushatën zgjedhore ta diskutojnë publikisht me qytetarë temën e “korigjimit” de facto e de jure, ndarjen apo dhënien e 25% të territorit të Kosovës, Serbisë. Them do ishte mirë edhe për shkakun, e: transparencës publike, matjes së pulsit publik për këtë ide; ikjes së keqkuptimeve për “pazare” të pista, etj.
Andaj, kushdo që pretendon të konkurojë për postin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës, duhet qartazi dhe publikisht të na tregojë se çfarë do bënte me këtë temë. Ndryshe, zgjidhja e këtij posti përmes “aksham pazareve”, sikurse ka ndodhur deri tani, do na futë në staza minuese gjithë shoqërinë. Por, për të hyrë në garën e këtij posti, secili prej tyre duhet pa dyshim të mbajë në foltorën e tij, një skicë propozimesh, alternativash, opsionesh, mendimesh e gjykimesh, të bazuara e të peshuara mirë e sakt. Para kësaj, kisha dashur që secili nga këta pretendentë, të kishte ekipe ekspertësh që detyrimet dhe përgjegjësitë i marrin me kompetenca nga ekspertiza e tyre (suflerë të botës akademike) e grumbuj ekspertizash të tëra, që do e ”fluskonin” me alternativa e zgjedhje adekuate. E jo si ka ndodhë gjerë më tani “atje” të shkohet “me duar në xhepa”. Mendoj që edhe Zyra Amerikane duhet ta fuqizojë këtë ide konkuruese për postin e kryeministrit e jo të përkrahë individë jokarizmatikë që dalin prej “zarfit”.
Projekti i rikthimit të serbëve vetëm të atyre të brendësisë (që janë më shumë) pa ata të pjesës veriore (që janë më pak), në qytetarë lojal dhe në favor të gjoja kompromisit që Kosova duhet t’i bëjë Serbisë, është i gabuar dhe tejet i rrezikshëm. Por, rikthimi dhe akomodimi i serbëve në qytetarë lojal, si entitet i superprivilegjuar, është i dobishëm dhe i levërdishëm edhe për ca arsye;
a) Së pari, shqiptarët janë aq të ndërgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për pamundësinë e ekzistimit të shteteve të pastërta nacionale në hapësirën ballkanike, as tani e as në të ardhmen. Sepse, historia i ka përzier etnikisht të gjithë ngapak.
b) Ndërsa Kosova, edhe ashtu me 96% të pastërtisë etnike, nuk ka edhe aq shumë nevojë ta ndjekë këtë parim, të cilin e ka krijuar vetvetiu bioritmi i natalitetit dhe mortalitetit gjatë gjithë historisë.
c) Kthimi i serbëve në qytetarë lojal, i prejudikuar gjithnjë sipas kritereve të atyre që nuk kanë qenë të implikuar në krime dhe masakra, do të mundë t’ua hiqte nga dora disa qarqeve zyrtare të NATO-s dhe regjimit të Beogradit, argumentin për kinse mostolerancën ndëretnike, që janë duke treguar shqiptarët.
d) Serbët kosovarë, kanë mundësi të shohin dhe kuptojnë esencën e lojalitetit, nëse marrin kornizën e riintegrimit të qytetit të Vukovarit dhe Sllavonisë Lindore, në territorin e Kroacisë. Aty shihen më së miri beneficionet sociale, politike e sidomos ato atraktive ekonomike…
e) Me këso qasje dhe standardi evropian, e në fakt, tolerant nga ana e qeverisë kosovare, do të mund të përfitonin shumë shtresat e ulëta të popullsisë, të cilat, dalëngadalë, siç po shihet, po i largohen vëmendjes së ndihmës nga faktori ndërkombëtar. Proces ky që i ka ndodhur edhe Bosnjës, deri para fillimit të luftës në Kosovë, Çeçenisë, Afganistanit, Sirisë, etj.