Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, po qëndron në një vizitë në Kiev, ku do të zhvillojë një takim me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të shtyrë përpara marrëveshjen për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Modi, po e paraqet veten si një person që mund ta ndërmjetësojë arritjen e paqes, teksa pushtimi rus i Ukrainës ka nisur dy vjet e gjysmë më parë dhe javëve të fundit, Ukraina është duke kryer një ofensivë në territorin rus.
“Asnjë problem nuk mund të zgjidhet në fushëbetejë”, tha Modi para vizitës, duke shtuar se India mbështet dialogun dhe diplomacinë për të rivendosur paqen dhe stabilitetin sa më shpejt që të jetë e mundur.
Tutje, ai tha se po planifikon të diskutojë për planet për thellimin e miqësisë mes Indisë dhe Ukrainës.
Ai është kryeministri i parë i Indisë që viziton Ukrainën, që kur të dyja shtetet vendosën marrëdhënie dypalëshe mbi 30 vjet më parë, raporton Rel.