Kryeministri i Maltës, Joseph Muscat, u ka thënë bashkëpunëtorëve të vet se është duke e planifikuar dorëheqjen e menjëhershme pas krizës politike dhe ligjore që u krijua në qeveri pas vrasjes së gazetares Daphne Caruana Galizia.
Vendimi i kryeministrit vjen pas arrestimit dhe marrjes në pyetje të njërit prej aleatëve kryesorë të tij si pjesë e hetimeve të policisë për vrasjen e gazetares së njohur hulumtuese, e cila kishte ndodhur në vitin 2017. Gazetarja e ndjerë i kishte publikuar rastet e korrupsionit në nivelin më të lartë të qarqeve qeveritare dhe biznesore të Maltës.
Pas dy vjetëve të hetimeve të ngecura për këtë rast, autoritetet e vendit mesdhetar morën masa të shpejta ditëve të fundit, duke e kryer një valë arrestimesh, të cilat e kanë destabilizuar qeverinë e kryeministrit Muscat.
Pas një takimi të paplanifikuar të kabinetit qeveritar, i cili u mbajt të premten, kryeministri maltez u zotua se do të qëndrojë në pozitën zyrtare deri në përfundimin e hetimeve. Megjithatë, më vonë u mor vesh se në qeveri ka përçarje dhe se ai po planifikon që të njoftojë për dorëheqjen e tij përmes një fjalimi në televizion.
Data dhe ora e saktë e këtij fjalimi ende nuk është publikuar. Sipas medieve lokale, kryeministri po pret nëse autoritetet do të ngritin zyrtarisht aktakuzë kundër një biznesmeni për dhënie të urdhrit për vrasjen e gazetares.
Caruana Galizia, gazetarja më e njohur hulumtuese në Maltë, u vra më 16 tetor 2017, kur një bombë e montuar nën ulësen e vozitësit u aktivizua nga distanca dhe shpërtheu kur gazetarja e ndjerë ndodhej në veturë, shkruan “The Guardian”.