Kryeministri japonez u kërkon vendeve baltike ta përkrahin presionin ndaj Koresë Veriore

Prishtinë | 14 Jan 2018 | 10:18 | Nga

Kryeministri japonez, Shinzo Abe, u ka bërë thirrje anëtarëve të NATO-s, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, të përkrahin presionin ndaj Koresë Veriore, derisa ishte në një vizitë në rajonin e Baltikut.

“Ne duhet të punojmë së bashku që të fuqizojmë sundimin e ligjit në Korenë Veriore, bazuar në ligjin ndërkombëtar, e cila tani është kërcënim për komunitetin global”, u ka thënë Abe gazetarëve në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius.

Ai ka thënë se pavarësisht uljes së tensioneve për shkak të Lojërave Olimpike Dimërore, që mbahen në Korenë e Jugut, është shumë e rëndësishme të “maksimizohet presioni” për Phenianin, që të frenojë programin bërthamor dhe atë të raketave balistike, transmeton rel.

Kryeministri lituanez, Saulius Skvernelis, i ka dhënë mbështetjen e tij, njëjtë sikur homologu i tij nga Letonia, Maris Kucinskis, me të cilin është takuar në Riga.

Japonia së bashku me aleatët e saj, Shtetet e Bashkura dhe Korenë e Jugut, kanë bërë përpjekje për të ndaluar Korenë Veriore në aktivitetet e saj të programit bërthamor dhe atij të raketave balistike, të cilat janë ndaluar edhe me rezolutë të Kombeve të Bashkuara.

Sidoqoftë situata është qetësuar në ditët e fundit, pasi zyrtarët e dy Koreve kanë planifikuar të diskutojnë pjesëmarrjen e Koresë Veriore, në Lojërat Olimpike Dimërore.

Ndërkohë Abe pritet të vizitojë edhe Bullgarinë, Serbinë dhe Rumaninë, vizita e parë e një kryeministri japonez në këto vende.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme