Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri, Haki Abazi, kanë pritur sot në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major, Michele Risi, i shoqëruar prej asistentit të tij ushtarak, kolonel lejtnant, Dario Paduano, dhe këshilltarit të tij politik, Alexander Aalmo.
Dje, në një konferencë për medie Kurti ka bërë të ditur se do të takohet me komandantin e KFOR-it lidhur me marrëveshjen “sekrete” ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe shefit të NATO-s në vitin 2013, por një gjë e tillë nuk është parë në komunikatën për medie.
“Në një atmosferë shumë miqësore u rikonfirmua përkushtimi për bashkëpunim të afërt ndërmjet kryeministrit dhe komandantit të KFOR-it, përbrenda mandateve që kanë”
Kryeministri shprehu falënderimin në emër të qytetarëve të Kosovës për rolin e vazhdueshëm të KFOR-it në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në gjithë territorin e Kosovës. Po ashtu, ai vuri theksin në qëllimin e integrimit të Kosovës në NATO si aspiratë që do të realizohet domosdoshmërisht në të ardhmen.
Në këtë fazë, bashkëpunimi i KFOR-it me Ministrinë e Mbrojtjes është i një rëndësie të veçantë
Komandanti i KFOR-it theksoi se nën mandatin e tij të OKB-së, KFOR-i do të vazhdojë përpjekjet e tij për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit e Kosovës. Ai gjithashtu ritheksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe angazhimin për koordinim institucional në interes të sigurisë në Kosovë.
Më pas, Komandanti i KFOR-it e njoftoi Kryeministrin se, nën mandatin e KFOR-it, dhe në kuadër të përgjegjësive të menaxhimit të hapësirës ajrore të autoriteteve të NATO-s, me ndihmën e Hungarisë dhe Islandës, po vazhdojnë përpjekjet për hapjen e korridoreve të reja ajrore.
Në fund të takimit, bashkëbiseduesit shprehën edhe një herë gatishmërinë për derë të hapur për komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm. Komandanti i KFOR-it i dorëzoi kryeministrit Stemën e Komandantit të KFOR-it.