Tjetër takim bilateral gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti zhvilloi me homologen e tij nga Estonia, Kaja Kallas.
Biseduan për marrëdhëniet e mira në mes dy vendeve, për arritjet dhe sfidat e qeverive respektive gjatë vitit të kaluar, për menaxhimin e pandemisë, ringjalljen e ekonomisë dhe ballafaqimin me krizën globale energjetike, si dhe për situatën në Ukrainë.
Kryeministri Kurti u shpreh se menaxhimi i suksesshëm i pandemisë dhe fushata e suksesshme e vaksinimit masiv të popullatës, së bashku me besimin e madh në institucionet qeverisëse, ka ndikuar në përgjigjen pozitive të ekonomisë së vendit gjatë viti 2021. Ndërkaq, qeverisja e mira dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit është pasqyruar edhe në raporte ndërkombëtare, sikurse ai i Transparency International, përkatësisht në indeksin e perceptimit të korrupsionit, në të cilin Kosova vitin e kaluar ka shënuar përmirësim rekord vjetor për 17 vende.
Kryeministrja e Estonisë, Kallas e falënderoi kryeministrin Kurti dhe Republikën e Kosovës për marrëdhëniet e mira bilaterale. Për të diskutuar më gjerësisht mbi format e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, kryeministrja Kallas e ftoi kryeministrin Kurti për vizitë zyrtare në Estoni.