Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se nuk ka logjikë që Kosova të vazhdojë dialogun nëse nuk i jep fund njohjes së ndërsjellë me Serbinë.
Ai tha se marrëveshja për drejtësi e arritur në Bruksel është një nisje e gjyqësorit në veri, por nuk është perfekte.
Këtë deklaratë, kryeministri Haradinaj i dha pas pyetjes së deputetes Albulena Haxhiu se cili është qëndrimi i kryeministrit rreth kësaj marrëveshje.
“Marrëveshja për drejtësi është produkt i dialogut në Bruksel. Çfarë produkti, është një produkt i tillë të paktën e synon një nisje të gjyqësorit në veri. Kuptohet, nuk e quaj perfekte, por është një nisje e gjyqësorit në veri dhe është një ndryshim përmbajtësore për shtrirjen e ligjit edhe në veri, pra ligjit dhe Kushtetutës së vendit, sepse korniza dhe ligjet në bazë të cilit operohet janë ligji dhe Kushtetuta e vendit. Kur them nuk është perfekte, Kosova ka ende rrugë dhe punë të bëjë të arrij shtrirjen e ligjshmërisë në veri dhe të rendit”.
Por, deputetja e Vetëvendosjes akuzoi Haradinajn se po i ndryshon qëndrimet nga ato që i ka pasur kur ishte në opozitë dhe tash kur është në pozitë.
“Zotëri kryeministër unë kam marrë të gjitha deklaratat e seancave sa keni qenë në opozitë që e keni kundërshtuar goxha shumë marrëveshjen për drejtësinë, e keni quajtur të dëmshme dhe në anë tjetër sot janë deklarime tjera, po duken se po ndryshohen deklarimet sapo të vini në pushtet dhe për karrige natyrisht. Pyetja shtesë, a jeni në dijeni se pala kosovare ka vendosur t’ia njehë të gjitha aktgjykimet e organeve ilegale që kanë vepruar në Kosovë”, u shpreh Haxhiu.
Ndërsa, kryeministri Haradinaj tha se nuk ka logjikë të vazhdohet dialogu në tërësi nëse përfundimi nuk është me njohje reciproke.
“Vlerësimi im në tërësi për dialogun është se pas marrëveshjes së prillit 2013 ka një ngecje dhe i dini ato kualifikimet e mia që është humbur shumë kohë për Kosovën, është i tillë, mbetet i tillë, bazohet në substancë. Nuk ka logjikë që Kosova të vazhdojë dialogun nëse nuk i jep fund njohjes së ndërsjellë me Serbinë”.