Kryeministri sllovak: Ka mundësi që lufta në Ukrainë të përfundojë shumë shpejt

Prishtinë | 17 Tet 2024 | 08:42 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri sllovak, Robert Fico beson se ka një probabilitet të lartë se shumë shpejt do të përfundojë lufta në Ukrainë.

“Ekziston një probabilitet i lartë që lufta në Ukrainë të përfundojë në një periudhë të shkurtër kohore. Unë pres disa indikacione nesër, sepse papritmas u shfaq tema e ftesës së Ukrainës në NATO”, tha ai në komisionin parlamentar.

Fico do të marrë pjesë nesër në samitin e Bashkimit Evropian. Aty do të jetë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili është ftuar t’u shpjegojë planin e fitores udhëheqësve evropianë.

Lideri ukrainas për herë të parë sot në parlamentin e vendit të tij i shpalli detajet e Planit të Fitores, shkruan reuters.

Plani përfshin pesë pika – ftesën për anëtarësim në NATO, aspektin mbrojtës, parandalimin jobërthamor të agresionit rus, aspektin ekonomik dhe arkitekturën e sigurisë pas luftës. Tri shtesa të planit kanë mbetur konfidenciale, por janë ndarë me partnerët perëndimorë.

Fico ka thënë vazhdimisht se do të bllokojë hyrjen e Ukrainës në NATO për sa kohë të jetë kreu i qeverisë sllovake.

Që kur fitoi zgjedhjet e vjeshtës së kaluar, Fico ka ndryshuar politikën e qeverisë së mëparshme për të ofruar mbështetje materiale për Ukrainën në luftën e saj me fuqinë agresore dhe në vend të kësaj premtoi se qeveria nuk do të dërgonte “asnjë plumb të vetëm” në Ukrainë.

Të ngjashme