Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Zhdukjeve të Dhunshme, aktivistë të Nisma Ime i dërguan kryeministrit Isa Mustafa kutinë e zisë, me një palë këpucë dhe një letër të bashkangjitur me emrat e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.
Nisma Ime njofton se kutia e zisë është protokolluar dhe pranuar nga stafi i kryeministrisë.
Pwrmes letrës dërguar kryeministrit, Nisma Ime kërkon nga Qeveria përkushtim më të madh për çështjen e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.
Letra e plotë:
“I nderuari Kryeministër Mustafa,
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Zhdukjeve të Dhunshme, u drejtohemi me këtë letër duke kërkuar nga ju dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, përkushtim më të madh për çështjen e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.
Ne të rinjtë dhe të rejat e Republikës së Kosovës, jemi të shqetësuar me neglizhimin që i bëhet personave të pagjetur dhe familjarëve të tyre. Ndonëse 17 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe 8 vite nga shpallja e pavarësisë, shteti jonë ende nuk e ka prioritet këtë çështje duke i lënë familjet e personave të pagjetur të enden nëpër lokacione të mundshme për varreza me shpresën për ndonjë lajm për më të dashurit e tyre, kurse shoqërinë me shumë paqartësi.
Duke qenë këmbëngulës në kërkesat për realizimin e të drejtave të familjareve të viktimave në veçanti si dhe shoqërisë në përgjithësi, si aktivistë të Nismës, përmes aksioneve simbolike vazhdojmë të sjellim në vëmendje çështjen e personave të pagjetur, duke u thirrur edhe në nenin 5 të ligjit për të zhdukurit, për të drejtën e familjarëve për t’u informuar për fatin e personave të zhdukur.
Ne jemi të bindur se kemi të drejtën të dimë për të gjitha faktet e krimeve që kanë ndodhur gjatë, dhe menjëherë pas luftës në Kosovë. Si gjenerata që e kemi përjetuar luftën, apo kemi qenë shumë të vegjël për ta kujtuar, kemi nevojë dhe të drejtë që saktësisht t’i dimë pasojat e kësaj lufte.
Ne jemi dëshmitarë se mungesa e fakteve të besueshme, po ofron hapësirë për manipulim, agjendë nacionaliste dhe nxitje të urrejtjes e jo-tolerancë.
Jemi të shqetësuar për mos insistimin e përfaqësuesve tanë, që çështja e të pagjeturve të futet si temë në dialogun me Serbinë, duke e ngadalësuar procesin e ballafaqimit me të kaluarën dhe trashëgiminë e rëndë të luftës. Nga numri i përgjithshëm i të pagjeturve, mbi 1600, në Kosovë janë 116 fëmijë dhe të mitur nga 2 deri në 16 vjeç që ende nuk janë gjetur, kurse ne mësojmë fare pak për ngjarjet e luftës.
Tekstet shkollore të aprovuara nga Qeveria e Kosovës janë tejet të mangëta në ofrimin e informacioneve për këto ngjarje, e po ashtu narrativat e përdorura në shkolla dhe diskursin publik janë përjashtuese dhe nuk ofrojnë pasqyrë të plotë të ngjarjeve të së kaluarës. Ne nuk mësojmë për bashkëmoshatarët tanë, shqiptarë, serbë, boshnjakë, romë, egjiptas, ashkali, turq, goran dhe të tjerë që ende janë të pagjetur.
Duke qenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që qeveritë kanë ndaj qytetarëve, ne kërkojmë nga ju që të bëni gjithçka që është nën kompetencën tuaj që kjo çështje të trajtohet me prioritet të lartë dhe me seriozitet nga qeveria të cilën e drejtoni, dhe atë me përkushtim të njëjtë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Përmes kësaj letre u rikujtojmë që fati i personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë është në duart tuaja dhe puna juaj është përcaktuese nëse gjenerata jonë dhe të tjerat që vijnë do të rrezikohemi ta përjetojmë fatkeqësinë e njëjtë. Po ashtu përmes këtyre këpucëve, që dhembshurisht shpesh herë janë të vetmet gjëra që u kthehen familjarëve, u rikujtojmë që është puna juaj ajo që mund sado pak t’u lehtësoj ankthin dhe dhimbjen e tyre. Është puna dhe përkushtimi i institucioneve të vendit të jenë zëri i viktimave dhe familjarëve të tyre.
Për këtë, ne këmbëngulim që publiku dhe Qeveria t’i njoh padrejtësitë e shkaktuara ndaj viktimave, që qasja ndaj tyre të jetë solidare dhe jo ajo e fshehjes dhe e poshtërimit. Vetëm përmes kësaj rruge do të mund t’u kthehet dinjiteti viktimave.
Në fund, u bëjmë thirrje që ta përkrahni themelimin e Komisionit Rajonal për vërtetimin e fakteve mbi krimet e luftës dhe shkeljeve tjera të rënda të të drejtave të njeriut të kryera në periudhën nga 31 janari 1991 deri më 31 dhjetor 2001 (KOMRA); si diçka në interes të shoqërisë, të viktimave, e më së shumti në interes të gjeneratave të ardhshme.
Ne nuk do të reshtim duke u përpjekur që kjo çështje të trajtohet me prioritet nga ana juaj dhe e institucioneve të Kosovës, dhe nuk do të ndalemi të kërkojmë informacione mbi të kaluarën duke e trajtuar atë sikurse të ishte e tashmja.
Ju falënderojmë për kohën dhe vëmendjen tuaj!”