Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, është paditur për shkak të masave të rrepta që qeveria e saj i ka marrë në luftën kundër Coronavirusit dhe është akuzuar se po i shfrytëzon këto masa për përfitime politike.
Dy individë që i dorëzuan paditë pretendojnë se masat e izolimit nuk ia vlejnë në krahasim me koston ekonomike, kur merret parasysh numri i vogël i viktimave të Coronavirusit.
Ata gjithashtu pretendojnë se masat e qeverisë i kanë lënë në ndalim në mënyrë ilegale dhe kërkuan që të lirohen sa më shpejt, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Njëri prej paraqitësve të ankesës është duke qëndruar në arrest shtëpiak. Ai tha se zonja Ardern nuk ka bazë për zbatimin e masave të izolimit.
Ai gjithashtu tha se deri më tani në atë shtet kanë vdekur vetëm nëntë persona dhe se gjendja aktuale nuk është në përputhje me skenarin me të cilin paralajmëroheshin deri në 80 mijë viktima.
Ndryshe, kryeministrja e Zelëndës së Re ka vendosur që t’ua ulë pagat ministrave, zyrtarëve të lartë dhe vetes për 20 për qind për shkak të krizës së shkaktuar nga Coronavirusi.