Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, e ka pranuar se ka bërë festë “në një mënyrë të zhurmshme” pas publikimit të videove private, por ka thënë se është e zemëruar që pamjet, të cilat shkaktuan kritika nga kundërshtarët politikë, u zbuluan në media.
Videot treguan Marin, udhëheqësen 36-vjeçar të Finlandës, duke kërcyer me miqtë në një mjedis privat, raportoi CNN të premten.
“Këto video janë private dhe të filmuara në një hapësirë private. Më vjen keq që këto u bënë të njohura për publikun,” u tha Marin gazetarëve në Kuopio, Finlandë.
“Kam kaluar një natë me miqtë e mi. Festuam, gjithashtu në mënyrë të zhurmshme. Kam kërcyer dhe kënduar”, ka shtuar ajo.
Pamjet tregojnë Marin dhe pesë të tjerë duke pozuar drejt një aparati fotografik dhe duke kërcyer. Një tjetër klip duket se tregon Marin në dysheme, duke kënduar derisa shikon kamerën.
Kjo kishte shtyrë disa nga kundërshtarët e Marinit ta kritikonin sjelljen e saj si të papërshtatshme për një kryeministre. Mikko Karna, një deputet i opozitës, postoi në Twitter se Marin duhet t’i nënshtrohet një testi droge.
Marin u tha gazetarëve se kishte konsumuar alkool, por ajo nuk ishte në dijeni të ndonjë përdorimi të drogës gjatë festës.
Mbështetësit ndërkohë e kanë mbrojtur atë dhe kanë akuzuar kritikët për zbatimin e një standardi të dyfishtë.
Marin ka mohuar se rrjedhja e videove ishte pjesë e një skeme shantazhi.
“Nuk jam duke u shantazhuar. Këto janë video private dhe nuk është dashur të jenë publike”, ka thënë kryeministrja finlandeze.