Kryeminstri polak ia kthen Von der Leyen-it, akuzon BE-në për shantazh

Prishtinë | 19 Tet 2021 | 12:48 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, e akuzoi BE-në për shantazh në një debat të nxehtë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, rreth sundimit të ligjit.

Përplasja mes zyrtarëve të lartë erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Polonisë, e cila doli në kundërshtim ndaj disa ligjeve të Bashkimit Evropian, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Ursula von der Leyen e paralajmëroi Poloninë për masa ligjore dhe financiare, duke thënë se vendimi i gjykatës polake e rrezikon themelin e BE-së.

Kryeministri polak reagoi duke thënë se e refuzon gjuhën e kërcënimeve dhe e akuzoi BE-në për shantazh dhe për tejkalim të kompetencave.

“Shantazhi nuk duhet të jetë metodë e politikës”, tha kryeministri polak, i cili vjen nga partia nacionaliste e konservatore, “Ligj dhe Drejtësi”.

Ai gjithashtu i ka mohuar zërat për largimin e mundshëm të vendit të tij nga Bashkimit Evropian. “Nuk duhet të përhapim gënjeshtra rreth Polexit-it”, tha ai në Parlamentin Evropian.

Shumica e polakëve e përkrahin vazhdimin e qëndrimit të vendit të tyre në Bashkimin Evropian, por qeveria nacionaliste vazhdimisht ka pasur mosmarrëveshje me BE-në në lidhje me çështjet si komuniteti LGBT dhe pavarësia e sistemit të drejtësisë.

Të ngjashme