Pas “luftës” që i shpalli Kosova Serbisë duke dërguar forcat speciale në kufi, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përmes një konference të jashtëzakonshme për media, i është drejtuar gazetarëve në lidhje me çështjen e trenit serb të nisur për në Kosovë, duke i thënë se institucionet në Kosovë veçse i kanë nisur trupat policore në kufi, në Jarinje, të cilët, sipas tij, kanë pasur për detyrë që të arrestojnë “udhëtarët”.
“I kanë nisur 17 vetura të blinduara të njësisë speciale ROSU me dëshirën e nisjes së një konflikti, i cili do të ishte i përmasave të mëdha”, ka thënë Vuçiç. Ai ka thënë se për këtë çështje ka biseduar me liderët botërorë, në mesin e të cilëve edhe me zyrtaren evropiane Federica Mogherini.
“E kam informuar Mogherinin dhe i kam treguar se sa jam i dëshpëruar me mosreagimin e BE-së.
Pres reagimin e rusëve, të Kinës, do e kontaktoj edhe Bidenin. Do ta bëjmë një analizë të të gjitha shkeljeve që i kanë bërë shqiptarët në javët e muajt e fundit”, u shpreh ai. Më tej, ai tha se Serbia e do paqen dhe do t’i ndërmarrë hapat për ta ruajtur paqen.
Në fund, ai pati një “kërkesë dhe vërejtje” të fundit për shqiptarët. “Serbët duhet të mbesin në tokën e tyre, shqiptarëve u them mos u përpiqni t’i sulmoni serbët me armë, sepse Serbia do të reagojë. Ua kam tërhequr vërejtjen të tjerëve që po heshtin. Për ne është problem nëse dikush i vret serbët. Nuk e lejojmë askënd që t’i vrasë serbët. Silluni me përgjegjë- si dhe se paqja është në interes të të gjithëve. Mos luani dhe mos e rrëzoni atë që e kemi punuar gjatë, paqen. As gjyveçi, as çokollata e as treni s’është kërcënim për askënd. 50 autobusë në ditë kalojnë në Serbi dhe asnjëri nuk ka problem. Le ta kuptojnë mirë se çka i porosita. Dhe mos na u kërcënoni se as unë nuk po kërcënohem, por lutje që mos t’i vrasin serbët”, u shpreh kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç në fund të kësaj konference.
Pas deklaratave të kryeministrit serb ka reaguar ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, duke thënë se Kosova do të reagojë se herë që të kërkohet për të mbrojtur territorin.
“Qeveria e Kosovës ndaloi trenin ilegal të nisur nga Beogradi. Me këtë provokim të ri, Serbia po tregon që është burim i konfliktit, jostabilitetit dhe provokimit. Është shtet që jeton me të kaluarën e errët. Por kurdo që ka nevojë, ne do të sillemi sërish në mënyrë shtetërore për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe dinjitetin e një shteti të ri e të pavarur që i kemi borxh shumëçka. Sjelljet e javëve të fundit të Serbisë janë një këmbanë alarmi edhe për partnerët tanë evropianë për të kuptuar drejt me çfarë mentaliteti millosheviçian kemi të bëjmë”, është shprehur Hoxhaj.