Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinion publik se ka ngritur aktakuzë kundër dy personave të pandehur, E.M., dhe E.N., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i pandehuri E.M., ka ka kryer veprën penale “Grabitje” nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1, ndërsa, i pandehuri E.N., ka kryer veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale “Grabitje” nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Sipas aktakuzës, i pandehuri E.M, më datën 18 dhjetor dhe 25 dhjetor 2019, në Ferizaj, përkatësisht në pompën e derivateve “EX—FIS”, i maskuar dhe nën kërcënimin e përdorimit të armës kishte kryer grabitje, ku ka detyruar të dëmtuarit-punëtorët e pompës së derivateve ta hapin e derën e lokalit, me ç’rast ka grabitur shumën e përgjithshme prej 1,835 eurove, ndërsa, më datë 31 dhjetor 2019, ka tentuar të hy prapë në të njëjtin vend, fillimisht duke tentuar ta hap derën me forcë, por meqë nuk vëren ndonjë punëtor, në mënyrë që ta detyronte ta hapte derën e lokalit, i njëjti është larguar në drejtim të panjohur.
Ndërsa, i pandehuri E.N., nga data 16 dhjetor 2019 deri më datë 31 dhjetor 2019, kishte ndihmuar të pandehurin E.M., duke i’a vënë në dispozicion mjetet për kryerjen e veprës penale si armën e markës “Ekol ALP 2”, të cilën e posedonte pa leje”, thuhet në njoftimin për media.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit, për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.