Aktakuzë ndaj një personi se shtiu me armë në aheng familjar dhe videon e publikoi në “Tik-Tok”

Prishtinë | 04 Pri 2022 | 16:03 | Nga Ekonomia Online

 Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.H., i cili ngarkohet për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo prokurori, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, më 14 gusht 2021 në Prizren, është gjetur se i akuzuari E.H., posedon një pistoletë të llojit “Walter” dhe një karikator të pistoletës në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, në atë mënyrë që në një aheng familjar me pistoletë shkrep disa herë në restaurant dhe në rrugë dhe pasi këto veprime kanë qenë të incizuara i poston në llogarinë e tij në rrjetin social Tik-Tok.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”  nga neni 367, sipas Kodit  Penal.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, thuhet se është propozuar që si dënim plotësues ndaj të akuzuarit të bëhet konfiskimi i përhershëm i pistoletës së llojit “Walter” dhe karikatori i pistoletës. 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme