Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka marrë pjesë në Konferencën përmbyllëse të Projektit të Binjakëzimit “Mbështetje e mëtejme e reformës për arsimim ligjor” në Prishtinë, projekt ky, i realizuar nga IRZ-i dhe CILC-i dhe i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Në këtë eveniment përmbyllës ishin të pranishëm përfaqësuesit e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, të IRZ-it dhe CILC-it, Akademisë së Drejtësisë, organizatave të tjera ndërkombëtare dhe vendore, gjyqtarë dhe prokurorë.
Kryeprokurori i Shtetit, z.Lumezi ka theksuar se zbatimi i këtij projekti, me një përkushtim dhe punë të palodhur, e të përbashkët në mes të stafit të Akademisë dhe stafit e ekspertëve të këtij projekti, ka bërë që sot së bashku të ndajmë rezultate dhe të arritura të çmueshmë. “Akademia e Drejtësisë, në pajtim me mandatin ligjor që ka, gjithnjë ka bërë përpjekje në avancimin e programeve trajnuese dhe në ngritjen e cilësisë së shërbimeve profesionale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo gjë, pa dyshim është mbështetur fuqishëm nga ky projekt, fokusi kryesor i të cilit ka qenë në dy komponentë: “Avancimi i kapaciteteve trajnuese të Akademisë” dhe “Ngritjen e menaxhimit të Akademisë”, ka thënë kreu i institucionit të Prokurorit të Shtetit.
Z. Lumezi, gjatë fjalimit të tij, ka potencuar se synimi i qartë është mbështetja e ndërtimit të një sistemi gjyqësor të pavarur, të paanshëm dhe, mbi të gjitha, një sistemi gjyqësor e prokurorial profesional, andaj në këtë proces, Projekti i Binjakëzimit “Mbështetje e mëtejme e reformës për arsimim ligjor”, ishte dhe mbetet një ndër projektet më të mëdha.
Në përfundim të konferencës, z. Aleksandër Lumezi, ka nënvizuar se Akademia e Drejtësisë, gjatë vitit 2017 ka përmbyllur procesin e transformimit nga Instituti Gjyqësor i Kosovës përgjatë një proces që ka filluar në vitin 2010. “Gjatë kësaj kohe ka pasur mjaft takime, diskutime, konsultime, analiza krahasuese në mes sistemeve të ndryshme të institucioneve të trajnimit gjyqësor në rajon dhe vendet e BE-së, konceptdokumente, dhe përfundimisht të gjithë janë pajtuar se sistemi aktual, i cili është i përcaktuar edhe me Ligjin për Akademinë e Drejtësisë është sistemi që më së miri i përshtatet Kosovës dhe është plotësisht funksional dhe tashmë, në këtë fazë, kur prezantohen rezultatet e këtij projekti, dhe projekteve të tjera të donatorëve, që kanë mbështetur ndër vite zhvillimin e Akademisë së Drejtësisë, në një institucion që lirisht mund të renditet krahas institucioneve të trajnimit gjyqësor në rajon dhe më gjerë.