Ngritet aktakuzë për të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, kryeprokurori Gashi: Presim dënim kapital nga gjykata

Prishtinë | 15 Jan 2025 | 10:55 | Nga Ekonomia Online

Kanë përfunduar hetimet dhe është ngritur aktakuzë për të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt. Të akuzuarit janë, Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava, dhe Tom Dodajt, raporton Ekonomia Online.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, në konferencën për media ka njoftuar sekanë përfunduar hetimet dhe kanë ngritur aktakuzë për të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, si dhe presin nga gjykata dënim kapital ndaj të akuzuarve në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Gashi ka theksuar se rasti ka qenë i inskenuar si grabitje, mirëpo falë angazhimit maksimal të hetuesve dhe prokurorëve, brenda një afati të shkurtë kohor “kemi arritur të zbulojmë kryesit e kësaj vepre kriminale”.

Si rast jashtëzakonisht i ndjeshëm edhe sa i përket kompleksitetit të saj, ai njoftoi se janë zhvilluar hetime në shumë dimensione, për arsye se kemi siguruar ekspertiza edhe brenda edhe jashtë Kosovës.

Kjo vepër penale, ai tha se është “vrasje e rëndë” e kryer nga anëtari i familjes dhe siç tha ai e kryer në mënyrë dinake, prandaj ka kërkuar nga Gjykata një dënim kapital.

“Sa i përket cilësimit të kësaj vepre penale ashtu siç e tha edhe prokurorja, kjo vepër penale është vepër penale “vrasje e rëndë” e kryer nga anëtari i familjes dhe e kryer në mënyrë dinake e cila vepër e bën të cilësuar këtë natyrë të veprës penale andaj si e tillë presim nga Gjykata një dënim kapital sa i përket kryerësve të kësaj vepre penale të cilët ne mendojmë dhe konsiderojmë që kemi arritur në mënyrë profesionale të grumbullojmë të gjitha provat dhe presim epilogun në gjykatë”, tha ai.

Në konferencë ka folur edhe prokurorja e rastit e po ashtu edhe hetuesit.

Prokurorja e rastit të vrasjes së Liridona Ademajt, Javorka Perlinçeviq, tha se nuk mund të jap shumë detaje rreth aktakuzës, por shtoi se, gjatë kohës që jetonin në Suedi, Liridona dhe Naimi kishin “marrëdhënie të trazuara martesore”, si pasojë e të cilave erdhën edhe problemet financiare.

“Arsyet e tjera që kishte Naimi për të planifikuar dhe kryer këtë vrasje mund t’i mësoni në gjykatë kur të fillojë seanca kryesore”, tha Perlinçeviq, e cila tha gjetja e motivit kishte bërë që procesi i ngritjes së aktakuzës të merrte më shumë kohë.

Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor të vitit 2023, ndërsa të dyshuarit për planifikimin dhe ekzekutimin e krimit të rëndë janë bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, si edhe Granit Plava e Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj.

Rasti i vrasjes së 39-vjeçares, fillimisht ishte hetuar si “grabitje me pasoja vrasje”, por hetimet intensive kishin rezultuar me arrestimin e tre personave, ku Murseli, konsiderohet si koka prapa krimit tronditës.

Të ngjashme