Kryeprokurori i Shtetit kërkon raport për trajtimin e rasteve të Arlinda Zekajt dhe autorizon analizimin e veprimeve institucionale

Prishtinë | 26 Tet 2026 | 10:07 | Nga Ekonomia Online

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka ndërmarrë veprime konkrete institucionale për të zbardhur dhe analizuar të gjithë historikun e trajtimit të rasteve të raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj, e cila u privua nga jeta më 25 tetor 2026 në Pejë.

Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se koordinatori nacional për rastet e dhunës në familje tashmë është autorizuar për të analizuar me imtësi çdo veprim të deritanishëm institucional ku viktimë ishte e ndjera, transmeton Klankosova.tv.

Në kuadër të këtyre masave, nga kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, është kërkuar një raport i detajuar me shkrim mbi kronologjinë e plotë të rasteve.

Ky raport do të përfshijë Identitetin e personave të denoncuar dhe kualifikimin juridik të veprave, Emrat e prokurorëve kujdestarë dhe atyre që kanë poseduar lëndët, veprimet procedurale dhe afatet kohore kur janë ndërmarrë ato, vendimet e marra dhe arsyetimet përkatëse ligjore, shkallën e vlerësimit të rrezikut dhe masat mbrojtëse të kërkuara për viktimën, bashkërendimin me Policinë e Kosovës dhe institucionet relevante, trajtimin e veçantë të shkresës/ankesës së viktimës të dorëzuar më datë 22.10.2026.

Paralelisht me këtë, Kryeprokurori i Shtetit i ka kërkuar Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) të nisë veprime hetimore dhe verifikuese ndaj zyrtarëve policorë, për të verifikuar mënyrën se si janë pranuar, evidentuar dhe trajtuar denoncimet e Arlinda Zekajt në stacionet policore, me synim identifikimin e përgjegjësisë individuale apo institucionale.

Nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit theksojnë se lënda po trajtohet me urgjencë dhe paanshmëri maksimale.

“Në rast se konstatohen shkelje të ligjit, neglizhencë apo mosveprime nga ana e zyrtarëve përgjegjës, do të ndërmerren masat përkatëse ligjore dhe do të kërkohet përgjegjësi për secilën shkelje të evidentuar, pa asnjë tolerim ndaj përgjegjësisë institucionale apo individuale”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme