Me ftesë të Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, një delegacion nga Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë po qëndrojnë për vizitë zyrtare në vendin tonë.
U.D. Kryeprokurori Kelmendi njoftoi delegacionin nga Tirana për funksionimin e sistemit prokurorial, e në veçanti për funksionimin e Prokurorit të Shtetit, për strukturën organizative, për kompetencat e prokurorive, si dhe për sfidat me të cilat ballafaqohet sistemi prokurorial në realizimin e misionit për sundim të ligjit.
Gjatë këtij takimi u riafirmua angazhimi i përbashkët institucional në funksion të forcimit të sundimit të ligjit në të dyja shtetet, si dhe u diskutua për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, koordinimin dhe efikasitetin në luftën kundër krimit në të dyja shtetet.
Palët u pajtuan se forcimi i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet dy prokurorive në fushën e drejtësisë penale është thelbësor për përballimin e sfidave të përbashkëta dhe trajtimin e çështjeve me interes të ndërsjellë.
Pjesë e delegacionit të Republikës së Shqipërisë përveç Prokurorit të Përgjithshëm ishin edhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani, drejtuesi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, z. Arens Çela, drejtuesi i Seksionit kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit, z. Adnan Xholi, drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, z. Elion Mustafaj, këshilltarja në Prokurorinë e Përgjithshme, znj. Rozeta Tase, si dhe koordinatorja për Media në SPAK, znj. Ada Heqimi.