Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka zhvilluar një vizitë pune në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, me ç’rast ka parë nga afër edhe objektin e ri, në të cilin është vendosur tashmë stafi i kësaj prokurorie.
Gjatë kësaj vizite, Kryeprokurori i Shtetit, Lumezi, ka përgëzuar Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, prokurorët dhe stafin mbështetës për hyrjen në objektin e ri, duke theksuar përkushtimin e tij dhe angazhimin e vazhdueshëm të udhëheqësve të sistemit prokurorial për krijimin e kushteve sa më të mira të punës në të gjitha prokuroritë e vendit.
Po ashtu, Kryeprokurori i Shtetit, është shprehur se me ngritjen e këtij objekti janë krijuar kushte më të mira që Prokuroria Themelore në Gjakovë të fillojë t’i përmbushë më fuqishëm detyrat dhe kompetencat e saj në hetimin dhe ndjekjen e kryerësve të veprave penale dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.
Ndërkaq, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë njoftoi Kryeprokurorin e Shtetit për punët aktuale dhe sfidat e funksionimit të kësaj prokurorie, duke e falënderuar atë për përkujdesjen e vazhdueshme lidhur me mbarëvajtjen e punëve në këtë prokurori.