Kryeprokurori i Tokios pritet të jap dorëheqje pasi ka luajtur bixhoz ilegale gjatë gjendjes emergjente në Japoni të vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, kanë njoftuar mediumet të enjten.
Është një goditje tjetër për kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe, të cilit i është zbehur mbështetja për mënyrën se si e ka menaxhuar pandeminë.
Kreu i Zyrës së Prokurorisë së Lartë Publike në Tokio, Hiromu Kurokawa, që shihet si njeri i afërt me Aben, ka qenë në qendër të zemërimeve lidhur me tentimin e qeverisë për të rritur moshën e pensionimit për prokurorët dhe të lejohen të qëndrojnë përtej moshës 63-vjeçare.
Qeveria e Abes këtë javë ka hequr dorë nga tentimi për të shtyrë këtë ligj që të rritet mosha e pensionimit për prokurorët në 65 vjet.
Opozita ka thënë se ideja prapa kësaj është që të lihet Kurokawa në post.
Në një kthesë tjetër, Kurokawa është kritikuar ashpër nëpër rrjetet sociale pas raportimit nëpër media se ai ka luajtur lojë ‘mahjong’ për para gjatë gjendjes emergjente, ku ka gjasa të ketë shkelur edhe direktivat e distancës sociale.
Bixhozi është ilegal në Japoni, me përjashtim të disa rasteve. Abe ka thënë se qeveria po tenton të konfirmojë faktet.
“Natyrisht se do të ketë kritika për Kurokawan. Natyrisht se do të jetë dëmtuese”, ka thënë analisti i pavarur politik Atsuo Ito, shkruan agjencia Reuters.
Abe ka mohuar se ai vet ka bërë ndonjë shkelje me propozimin e ligjit.
Japonia ka regjistruar 16.433 raste me koronavirus dhe 784 të vdekur.