Kryeprokurori Jack Smith braktis Gjykatën Speciale për ta hetuar Donald Trumpin

Prishtinë | 18 Nën 2022 | 22:12 | Nga Ekonomia Online

Njeriu kryesor që po i ndjek penalisht Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, tani e tutje do ta ndjekë penalisht ish-presidentin amerikan Donald Trump.

Kryeprokurori i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, amerikani Jack Smith, është emëruar nga Prokurori i Përgjithshëm, Merrick B. Garland, si këshilltar i tij special për hetimet kundër presidentit Donald Trump.

Lajmin e ka publikuar gazeta amerikane “The New York Times”.

Smith është emëruar të premten për të mbikëqyrur hetimin e mbajtjes së dokumenteve të klasifikuara në resortin Mar-a-Lago nga ish-presidenti Donald Trump.

Hetimet implikojnë sjelljen e Trump, i cili të martën deklaroi kandidaturën e tij në garën presidenciale 2024, duke e bërë atë një rival të mundshëm të Presidentit Joe Biden.

“Bazuar në zhvillimet e fundit, duke përfshirë njoftimin e ish-presidentit se ai do të kandidojë për president në zgjedhjet e ardhshme, dhe synimin e deklaruar të Presidentit në detyrë për të kandiduar gjithashtu, kam arritur në përfundimin se emërimi i një këshilltari special është në interesin publik”, tha Garland në Departamentin e Drejtësisë të premten.

Smith u bë kryeprokuror për gjykatën speciale në Hagë në vitin 2018, i fokusuar në hetimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Smith para pak muajve mori mandatin e dytë në Gjykatën Speciale. Edhe prokurori i parë që ishte emëruar, David Schwendiman kishte dhënë dorëheqje 2 vjet pasi u emërua.

Të ngjashme