Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka paralajmëruar padi për shpifje për ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës dhe ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. Lumezi ka thënë se ka tërë dokumentacionin e nevojshëm dhe dëshmitarët që pohojnë të kundërtën e asaj çfarë ka deklaruar ish-rektori., shkruan sot Koha Ditore.
E Hasani ditën kur Gjykata Themelore e Prishtinës e dënoi atë me një vit burgim me kusht për mashtrim në detyrë denoncoi publikisht Lumezin duke thënë se nuk e ka të kryer provimin e jurisprudencës dhe se atë e ka të falsifikuar.
Këto pretendime të Hasanit Lumezi i ka quajtur shpifje, gënjeshtra dhe të imagjinuara.
“Fillimisht vendosa ta injoroj një shpifje të tillë, të ulët. Por, megjithatë, vendosa ta bëj këtë reagim për hir të transparencës dhe opinionit. Dëshiroj me këtë rast të siguroj opinionin vendor dhe ndërkombëtar se kam kryer provimin e jurisprudencës në mënyrën më të rregullt të mundshme dhe për këtë posedoj gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Për këtë, pos dokumentacionit, ende janë gjallë edhe profesorët, tek të cilët kam dhënë provimet në fjalë, si dhe kandidatët të cilët sot ushtrojnë pozita në sistemin gjyqësor dhe në avokatinë e Kosovës”, ka shkruar ai në komunikatën që, në emër të tij, mediave ua ka përcjellë Prokuroria e Shtetit.