Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së Prokurorit Enver Krasniqit.
Ai thotë se Enver Krasniqi ishte dhe mbetet shëmbëlltyrë e njeriut të ndershëm, i cili me dinjitet dhe profesionalizëm të lartë i shërbeu institucionit ku punojë, sistemit të drejtësisë dhe vendit të tij.
“E nderuar familje Krasniqi. Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e familjarit tuaj dhe kolegut tonë të nderuar, Prokurorit të Shtetit, z. Enver Krasniqi. Vdekja dhe largimi i tij nga kjo botë është humbje e madhe jo vetëm për familjen Tuaj, por edhe për tërë sistemin prokurorial dhe përgjithësisht për sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës”.
“Me këtë rast, më lejoni që në emrin timin personal, prokurorëve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe të krejt stafit të kësaj prokurorie, t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe më të thella Juve për humbjen e z. Enver Krasniqi dhe njëkohësisht edhe kolegëve, miqve dhe të afërmve të tij”.
“Prokurori Enver Krasniqi ishte dhe mbetet shëmbëlltyrë e njeriut të ndershëm, i cili me dinjitet dhe profesionalizëm të lartë i shërbeu institucionit ku punojë, sistemit të drejtësisë dhe vendit të tij. Me ndjesinë dhe respektin më të thellë!”, thuhet në telegram.