Terminet për vaksinim anti-Covid kanë filluar në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në komunën e Prishtinës.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Rrezart Halili ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se është për t’u krenuar me numrin e lartë të qytetarëve të interesuar për të lënë ternim të vaksinimit.
“Sa i përket termineve të vaksinimit ju informojë se pothuajse në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare janë duke ofruar shërbimin e termineve të vaksinimit, ku qytetarët lajmërohen në sportel tek motrat, duke dhënë emri dhe pastaj lajmërohen përmes telefonit me anë të një mesazhi”
“Mund të ju them se ditëve të fundit kemi një interesim mjaftë të madh të qytetarëve për çka është tu krenuar me qytetarët tanë dhe shërbimi është duke shkuar në mënyrën më të rregullt” është shprehur ai.
Tutje Halili ka njoftuar se i vetmi problem që kanë hasur deri më tani gjatë këtij procesi, është rënia e sistemit, për çka ai ka thënë së nuk është nën kompetencën e tyre, por të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Sistemi varet prej Ministrisë së Shëndetësisë derisa ne bëjmë vetëm futjen e të dhënave të qytetarëve të cilët dëshirojnë të marrin vaksinën kundër Covid-19”
“Deri tash nuk kemi të evidentuar për ndonjë problem, mund të ndodhë ndonjëherë që sistemi të mos funksionoj, varësisht prej hapësirave të cilat gjenden për realizimin e këtyre terminëve, por në përgjithësi qytetarët janë të kënaqur dhe nuk kemi pasur ndonjë vërejtje në këtë drejtim”, ka përfunduar ai për EO.