Vazhdon edhe më tutje zvarritja për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë. Bashkësia Islame e Kosovës, për ndërtimin e kësaj xhamie, që nga viti 2012 kur është vënë gurthemeli i saj, ende nuk ka aplikuar për leje të ndërtimit të saj.
Ende nuk ka filluar ndërtimi i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, ani pse gurthemeli i saj ishte vënë në vitin 2012. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një prononcim për Radio Kosovën ka bërë të ditur se BIK-u ende nuk ka kërkuar leje për të filluar punimet e rreth ndërtimit të kësaj xhamie:
“Bashkësia Islame, ende nuk ka aplikuar për leje, kur të vijnë me aplikim, atëherë e shohim sa është brenda planit, brenda kushteve që u kemi lëshuar, pastaj i kemi obligimet tona ligjore.”
Ahmeti tha se nuk e di se pse Bashkësia Islame nuk ka aplikuar për leje ndërtimi, por ai mendon se shkak i kësaj zvarritjeje mund të jetë ndryshimi i projektit.
“Nuk e di për çfarë arsye nuk ka ardhur aplikimi, a nuk e kanë përfunduar projektin apo e kanë ndryshuar, mbetet të presim!”
Radio Kosova ka provuar të kontaktojë me zyrtarë nga Bashkësia Islame e Kosovës për të mësuar hollësi rreth kësaj çështjeje, por askush nga ky institucion nuk është prononcuar.
Përndryshe, kjo xhami është paraparë që të ndërtohet në Prishtinë, në lagjen “Ulpiana”, afër Postës së Madhe, në hapësirë prej 81 ari tokë.
Kjo xhami do të financohet dhe do të ndërtohet nga Bashkësia Islame Turke, ndërsa kostoja e saj vlerësohet të jetë prej 35 deri në 40 milionë euro.