Komuna e Prishtinës ka përfituar grant në vlerë prej 450 mijë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), raporton Ekonomia Online.
Granti ka të bëjë me financimin e rindërtimit të tërësishëm të Transportit Publik në Prishtinë.
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, pas nënshkrimit tha se synojnë përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
“Me kënaqësi dhe mirënjohje e falënderoj zotëri Sergiy Maslichenko, për mbështetjen e dhënë përmes nënshkrimit të kësaj marrëveshje për projektin e Transportit Urban në Prishtinë. Me këtë marrëveshje marrim një Grant gati gjysmë milioni që do të na ndihmojë në modernizimin dhe funksionalizimin të Trafikut Urban, ku e ndërlidhim transportit publik me atë privat”, u shpreh Rama.
“Ky partneritet ka një rëndësi të madhe për komunën tonë, duke ofruar mundësinë për ristrukturimin dhe modernizimin e rrjetit të autobusëve në Prishtinë. Përmes këtij projekti, ne synojmë përmirësimin e shërbimit të transportit urban, duke e bërë atë më efikas dhe të përshtatshëm për nevojat e qytetarëve”, tha Rama.
Drejtor i Zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë, Sergiy Maslichenko, u shpreh i lumtur për këtë bashkëpunim.
Ai tha se ideja e projektit ka të bëjë me modernizimin e infrastrukturës së transportit publik në Kryeqytet.
“Jam i lumtur me këtë bashkëpunim dhe shpresojë që të vazhdoje ende dhe sidomos në kësi projekte me benefite për qytetarët e Prishtinës ne kemi plan që të rrisim numrat e autobusëve të modeleve të reja dhe gjashtë nga këta janë elektrik, dhe do shihet diferenca në vitin e ardhshëm. Ideja e projektit është që të modernizojmë infrastrukturë dhe ky grand gjysmë milionësh që të dizajnojmë një model ndryshe të transportit publik”, u shpreh ai.