Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit i reagon Visar Ymerit: Materiali që u kërkua s’mund të grumbullohet për tri ditë

Prishtinë | 04 Pri 2019 | 17:29 | Nga Ekonomia Online

Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, i ka reaguar kryesuesit të Komisionit Hetimor për gjendjen në PTK, Visar Ymerit, se me deklarata e tij në dëm të kësaj kompanie, e dëmtojnë në masë të madhe imazhin dhe afarizmin e kësaj korporate.

Ai ka thënë se ka qenë pamundur që në një afat prej tri ditësh, siç ka kërkuar Komosioni të përgatitet materiali i kërkuar.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të kreshefit të Telekomit, Bedri Istrefi

Reagim Publik

Telekomi i Kosovës dëshiron që përmes këtij Reagimi Publik, të njoftojë opinionin publik se z. Visar Imeri, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit Hetimor Parlamentar, është nxituar në deklarimin e tij mbi gjendjen në Telekomin e Kosovës.

Kërkesa e z. Imerit në Telekomin e Kosovës është adresuar me 28 Mars 2019.

Në këtë kërkesë të Komisionit Hetimor Parlamentar, e cila tashmë është bërë publike, është kërkuar që për një afat rekord të shkurtër (vetëm tri ditë), Telekomi i Kosovës të ofrojë dhe dorëzojë material (kopje) të:

– dymbëdhjetë Kontratave

– shpenzimet e Mediave për 20 vite

– shpenzimet e Marketingut për 20 vite

– shpenzimet e qirave (pa specifikuar çfarë qirash) për 20 vite

– shpenzimet e reprezentacionit për Menaxhment, Kryeshefa dhe Bord për 20 vite

– raportet e auditorëve të brendshëm dhe të jashtëm për 20 vite

– raporte dhe lista të të punësuarve për 20 vite.

I gjithë ky material voluminoz, është e pamundur që të sigurohet dhe të kompletohet për vetëm tri ditë, aq sa është kërkuar zyrtarisht nga ky komision paralamentar, kërkesë kjo e datës 29 Mars 2019.

Kërkesa e këtij komisioni, ka qenë jospecifike, si p.sh. qiratë, ndërsa në raste të tjera shumë e përgjithësuar, si dhe në një rast janë kërkuar kontrata që Telekomi i Kosovës nuk ka dijeni që ekzistojnë.

Telekomi i Kosovës i ka kërkuar një afat shtesë këtij Komisioni, në mënyrë që ta ketë kohën e mjaftueshme për ta kompletuar në tërësi tërë këtë dokumentacion.

Telekomi i Kosovës, në të njëjtën shkresë e ka njoftuar këtë Komision se disa nga kontratat dhe materialet e kërkuara nga ana e Komisionit Parlamentar Hetimor, tashmë siç dihet edhe publikisht, janë subjekt i trajtimit nga ana e organeve ligjzbatuese, prandaj me këtë rast, mbetet të vlerësohet fakti se a mund të paraqesin dëmtim të procesit të hetimit dhe trajtimit të këtyre rasteve.

Telekomi i Kosovës konsideron se deklaratat dhe fushatat në dëm të kësaj kompanie, e dëmtojnë në masë të madhe imazhin dhe afarizmin e korporatës sonë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme