Ymeri: Kurti duhet të tregojë pse statusi i Kishës Serbe tani figuron si pikë e veçantë në Planin Franko-Gjerman

Prishtinë | 25 Shk 2023 | 19:03 | Nga Ekonomia Online

Drejtori Ekzekutiv i Institutit “Musine Kokalari”, Visar Ymeri, ka thënë se Statusi i Kishës Ortodokse Serbe është i rregulluar me ligjet dhe Kushtetutën e vendit, andaj ka pyetur kryeministrin Albin Kurti pse kjo pikë është “përvjedhur” si pikë e veçantë në Planin Franko-Gjerman.

Propozim Evropian, sikur quhet tani, mund të nënshkruhet të hënën, më 27 shkurt, në Bruksel nga Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq.

Ish-kryetari i Vetëvendosjes në një bisedë me Demokracia.com ka thënë se çështja e formalizimit të statusit të Kishës Ortodokse Serbe nuk ka marrë shumë hapësirë diskutimi as në Kuvend, por as në opinionin publik. Prandaj, edhe ai ka pak informata se çka është kjo pikë.

Por, Ymeri ka tërhequr vërejtjen se Kosova duhet të ketë shumë kujdes në lidhje me këtë çështje.

Ditë më parë është raportuar se një nga pikat e planit franko-gjerman është edhe “formalizimi i statutit të Kishës Ortodokse Serbe”, dhe atë 30 ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes, ose planit në Bruksel.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së enjte në Kuvendin e Kosovës e ka pranuar këtë propozim dhe ka thënë se propozimi për marrëveshje përmban edhe një pikë mbi formalizimin e statusit të Kishës Serbe.

“Siç e kam thënë, propozimi për marrëveshje përmban një pikë mbi formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, formalizimi nuk nënkupton negocimin mbi statusin e saj dhe as diskutim mbi të drejta të veçanta. Formalizimo i referohet si një person juridik fetar, si bashkësi fetare në Legjislacionin e Brendshëm të Kosovës”, ka thënë Kurti.

“Çështja e formalizimit të statusit të Kishës Ortodokse Serbe nuk ka marrë shumë hapësirë diskutimi as në institucione (Kuvend) e as në opinionin publik. Së këndejmi ka shumë pak informata se për çka saktësisht bëhet fjalë, dhe si do të përfundojë kjo çështje”, ka thënë Ymeri.

Ymeri ka treguar se Statusi i Kishës Ortodokse Serbe është i rregulluar me ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

“Statusi i Kishës Ortodokse Serbe në Republikën e Kosovës është rregulluar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës që burojnë nga Pakoja e Ahtisaarit, kështu që është vështirë të kuptohet se çka kërkohet më shumë në këtë drejtim. Fakti që institucionet e Kosovës nuk e kanë zbatuar ende një vendim të Gjykatës Kushtetuese që i jep të drejtë Manastirit të Deçanit për pronësi mbi disa dhjetëra hektarë tokë që më herët ishin në pronësi të ndërmarrjeve shoqërore, nuk i ndihmon këtij diskutimi e negociate meqë Kosova shihet si moszbatuese e të drejtave të fituara, në këtë rast nga Kisha Ortodokse Serbe, në gjykatat vendore”, ka thënë tutje ai.

Ymeri ka kërkuar nga ekzekutivi që të jenë më të vëmendshëm dhe më të përgatitur.

“Sido që të jetë kjo pjesë e negociatave dhe marrëveshjes që Kosova do ta bëjë kërkon më shumë vëmendje dhe përgatitje nga Qeveria dhe Kryeministri”, tha ai.

Ymeri e ka konsideruar të mangët përgjigjen e dhënë në Kuvend nga kryeministri Kurti në lidhje me formalizimin e statusit.

“Përgjigja e kryeministrit Kurti në Kuvend kur u pyet nga deputetja Musliu-Shoshi ishte mjaft e përgjithësuar dhe e mangët. Kryeministri edhe tha që krejt çka kërkohet është formalizimi i statusit, dhe pastaj në të njëjtën kohë tregoi që kjo është çështje tashmë e përfunduar me Planin e Ahtisaarit” ka thënë Ymeri për Demokracia.com.

Madje, Ymeri shefit të ekzekutivit Albin Kurtit iu ka drejtuar edhe një pyetje në lidhje me formalizimin e Kishës.

“Atëherë pse figuron si pikë e veçantë në Planin Evropian?”, ka pyetur Ymeri.

Kujtojmë, se nga fillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që nga viti 2011 asnjëherë më parë nuk janë diskutuar çështjet e bashkësive fetare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme