Propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e rrymës ka shkaktuar shumë reagime e debat ditëve të fundit.
Kryetari i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu po raporton në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, për ta arsyetuar propozimin e këtij institucioni, i cili tha se e di se çmimet e energjisë elektrike janë të papërballueshme për një pjesë të konsumatorëve.
Fejzullahu ka theksuar faktin se kriza energjetike e ka përfshirë gjithë Evropën, duke shtuar se ka qenë e domosdoshme që ZRRE-ja ta shqyrtojë në mënyrë të jashtëzakonshme ndryshimin e tarifave të rrymës.
Duke përmendur çmimet e larta të importit të cilat i ka quajtur të pamundura për t’u përballuar, Fejzullahu ka thënë se situata është bërë e rëndë. Ai e ka theksuar edhe prishjen në termocentralin Kosova B në dhjetor, i cili i ka shkaktuar miliona euro shpenzime për energjinë e importuar.
“Kosto ditore e mungesës së këtij gjeneratori ka qenë rreth 1.5 milion euro me çmimin e tregut”, ka thënë ai. “Prandaj ZRRE-ja ka qenë e obliguar që të hapë shqyrtimin e jashtëzakonshëm.”
Fejzullahu tha se në Kosovë është menduar se mund të prodhojmë vetë rrymë për nevojat tona, por që kjo s’është e vërtetë viteve të fundit.
“Ne gjithë mendojmë që prodhojmë energji për nevojat tona, por në realitet – edhe pse deri tani kemi qenë shumë pak të varur nga importi – që disa vite të fundit, kjo varësi nga importi është rritur”, tha ai.
Si njërën nga arsyet për varësinë nga importi i energjisë elektrike, Fejzullahu e ka përmendur ndryshimin e strukturës tarifore në vitin 2017.
Kryetari i bordit të ZRRE-së tha po ashtu se edhe çmimet aktuale të rrymës mund të jenë të papërballueshme për një pjesë të konsumatorëve. Ai tha se ka kërkuar që të mbështeten disa kategori që nuk mund ta paguajnë rrymën.
“Këto çmime, edhe këto ekzistuese për një kategori të konsumatorëve janë të papërballueshme. Ne kemi qenë të zëshëm. Kam kërkuar edhe vitet e kaluara që të mbështeten konsumatorët që janë rastet sociale. Nuk janë vetëm rastet sociale që duhet të mbështeten, por edhe konsumatorët e cenueshëm që nuk e përballojnë faturën e energjisë elektrike”, tha ai.