Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku, priti në takim Drejtorin e Zyrës për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit (INL), Shawn Waddoups, si dhe përfaqësuesit e tjerë të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
“Gjatë këtij takimi, u diskutua për përmirësimin dhe avancimin e ndërmjetësimit dhe promovimit të tij nga ana e prokurorëve, me ç’rast Kryesuesi Maloku informoi Drejtorin Waddoups për angazhimin e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit në zbatimin e Ligjit për ndërmjetësim, duke thënë se është hartuar Doracaku për sistemin e ndërmjetësimit, i cili është një akt i rëndësishëm i referimit për prokurorët dhe stafin profesional për të siguruar implementimin e rregulloreve përkatëse”, thuhet në komunikatën e KPK-së.
Drejtori Waddoups shprehu gatishmërinë e INL-së për të vazhduar bashkëpunimin me KPK-në, me qëllim të ngritjes së efikasitetit dhe transparencës së sistemit prokurorial në Kosovë.