Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Novobërdës nga radhët e PDK-së, VV-së dhe AKR-së të premten e kanë braktisur seancën në shenjë proteste ndaj largimit të disa qytetarëve që kishin shfaqur interesim për ta përcjellë atë me pjesëmarrje direkte.
Kërkesa për largimin e qytetarëve nga seanca është bërë nga ana e kryesuesit të Kuvendit, Nebojsha Arsiq (Lista Serbe), shkruan sot Koha Ditore.
Nëpërmjet një reagimi publik, PDK, VV dhe AKR kanë thënë se largimin e qytetarëve e ka mbështetur edhe LDK-ja.
“Nga radhët e partive shqiptare këtë kërkesë e kanë përkrahur edhe këshilltarët e LDK së, të cilët janë përpjekur që edhe dhunshëm ta largojnë nga seanca qytetarin, Lirim Gashi, ndërsa kundër kanë qenë këshilltarët shqiptarë të VV, PDK dhe AKR”, thuhet në reagim.
Këto subjekte politike një veprim të tillë e kanë cilësuar kundërligjor. Sipas tyre, mohim të së drejtës së fjalës pati në seancën e kaluar ndaj këshilltarëve Avdyl Gashi e Selatin Nuhiu.