PDK e LDK kërkojnë seancë “të mbyllur” për Planin Franko-Gjerman

| 09 Shk 2023 | 12:01 | Nga

Kryetarët e dy partive kryesore opozitare, PDK e LDK, kanë kërkuar seancë të jashtëzakonshme, nëse dëshiron kryeministri edhe me dyer të mbyllura, ku do të diskutohej propozimi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, i njohur fillimisht si Plani Franko-Gjerman.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në seancën e sotme të Kuvendit, iu drejtua kryeministrit Albin Kurti që ta njoftojë Kuvendin me Planin, sepse dialogu Kosovë-Serbi nuk është çështje private e tij.

“Sot u befasova se sa mirë e sa ëmbël keni filluar ta arsyetoni propozimin evropian apo planin evropian, sepse askush nuk dini ta thoni saktë as termin e këtij dokumenti. Fillove t’i vendosësh mjaltë këtij ilaçi të hidhur. Për mua është transformim i madh. Pse nuk po ia sjellë Kuvendit këtë dokument, pse nuk po sjell krejt dokumentin në Kuvend, qoftë me dyer të hapura apo të mbyllura”.

“Pse po fshihesh prapë pas opozitës, pse po frikësohesh, apo të ka frikësuar Escobari e Lajçaku, ata nuk janë më të rëndësishëm se qytetarët e tua që të kanë dhënë votën”, theksoi Krasniqi.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se kryeministri Kurti, ka pranuar që nga një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme të pranojë një marrëveshje që nuk është finale por është bazë, duke shtuar se ky është devijim i madh i dialogut.

“Ti nuk po tregon se çka po bëhet por e ke pranuar një dokument. Je i paqartë për rrugën që duhet ndjekur përpara, por e ke pranuar dokumentin në pranim. Si mund të pranosh marrëveshje që nuk është finale dhe nuk e ka njohjen në të. Meqë ke devijuar nga ky proces ne duhet të thërrasim seancë të jashtëzakonshme. Dhe po e thërrasim këtë seancë ju ftoj të gjithëve që t’i japim nënshkrimet, meqenëse kryeministri po heziton të thirrë këtë seancë”, tha Abdixhiku.

Të ngjashme