Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Podujevë, Bekim Jashari po e sheh me dyshim aktivitetin e një Organizate Jo Qeveritare që po vepron në këtë komunë.
Këtë shqetësim Jashari e ka shprehur sot në mbledhjen e Këshillit komunal për Siguri në Bashkësi ku ka marrë pjesë edhe komandanti i Policisë Bekim Bislimi, drejtori i Arsimit Avni Maloku si dhe nënkryetari Nexhmi Rudari.
Bekim Jashari, tha se aktiviteti i kësaj OJQ-je të huaj mund të jetë promovuese e radikalizmit dhe ekstremizmit.
Sipas komandantit të Policisë, një rrezik tjetër permanent për qytetarët, veçmas për fëmijët, paraqet prania gjithnjë e më e madhe e qenve endacakë.
Drejtori i Arsimit, Avni Maloku, tha se sfidë për sigurinë në shkolla vazhdojnë të jetë eliminimi i dukurisë së bartjes së mjeteve-armëve të ftohta nga nxënësit, por edhe dukurive të tjera devijante.