Komuna e Deçanit në mëngjesin e sotëm ka marrë një aksion për rrënimin e një pike të shitjes së karburanteve në rrugën “Luan Haradinaj”. Në këtë aksion prezent është edhe i pari i Deçanit, Rasim Selmanaj, i cili po përcjellë nga afër rrënimin e kësaj pike.
Pika e cila po rrënohet nga ‘bollduzerët’ është shfrytëzuar nga “Al Petrol” po bëhet me arsyen se ka paraqitur rrezik për qytetarët, e sidomos për fëmijët.
Këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj, për Ekonomia Online, i cili ka theksuar se për rrënimin e kësaj pike të shitjes së karburanteve dje (e enjte) ka marrë vendim Asambleja Komunale.
“Arsye e parë është zbatimi i Planit Rregullativ i zgjerimit të rrugës. E dyta, kjo pompë ka paraqitur rrezik për të rinjtë dhe fëmijët. Thjesht është vendim i Asamblesë së Komunës që është marrë ditën e djeshme dhe po ndodhë ky rrënim”, ka thënë kryetari Selmanaj.
“Kjo pikë e shitjes së karburanteve ka qenë aktive deri para tri javësh. Për këtë unë i kam dërguar letër Agjencisë Kosovare të Privatizimit se kjo pikë e shitjes së karburanteve paraqet rrezik për jetën e njerëzve dhe është dashtë ta eliminojmë”.
“Kompania ‘Al Petrol’ e ka shfrytëzuar këtë pikë të shitjes deri para tri javësh. Ndërsa më parë është shfrytëzuar nga rrjeti i pikave të shitjes së karburanteve “INA”. Por në rrethana të mëhershme nuk e di si ka funksionuar”.