Kryetari Glauk Konjufca priti në takim kryetarin Lëvizjes BESA, Bilall Kasami

Prishtinë | 18 Maj 2023 | 18:06 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga deputeti Avni Dehari, shefi i Kabinetit Ilir Kërçeli dhe këshilltarët, ka pritur sot në takim kryetarin e Lëvizjes BESA në Maqedoninë e Veriut, njëherësh kryetar i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, sfidat e përbashkëta dhe nevojën për bashkëpunim më të ngushtë në adresimin e çështjeve rajonale dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët.

Kryetarët Konjufca dhe Kasami vlerësuan se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të shkëlqyera, ndërsa shprehën përkushtimin që bashkëpunimi ndërshtetëror të thellohet edhe më tej në të ardhmen, në frymën e orientimit të përbashkët euro-atlantik.

Pasi e njohu me punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe angazhimet për arritjen e objektivave të përcaktuara, kryetari Konjufca falënderoi kryetarin e Lëvizjes BESA për rolin që Maqedonia e Veriut ka luajtur në momente shumë të rëndësishme për Kosovën dhe tërë rajonin.

Duke e përgëzuar kryetarin Konjufca për punën dhe rezultatet e arritura në krye të Kuvendit të Kosovës, kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami foli për gjendjen politike dhe sfidat në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me theks të veçantë në Komunën e Tetovës.

Bashkëbiseduesit ndanë mendimin e përbashkët për nevojën e forcimit të mëtejmë të marrëdhënieve të mira fqinjësore, zhvillimit të përbashkët dhe avancimit të agjendës së integrimit në BE.

Gjatë këtij takimi kryetari Kasami shoqërohej nga nënkryetarja e Lëvizjes BESA, Besa Kadriu, kryetarja e Forumit të Gruas, Melinda Rashidi dhe deputetët Fadil Zendeli dhe Bastri Bajrami. ​

Të ngjashme