Kryetari i AKK-së: Po shihet që Qeveria nuk don bashkëpunim të sinqertë për luftimin e parandalimit të Covid-19

Prishtinë | 05 Jan 2022 | 16:11 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Shëndetësisë ka përjashtuar përsëri Asociacionin e Komunave të Kosovës nga Komiteti për Koordinimin dhe Vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19.

Këtë e ka konfirmuar edhe Sazan Ibrahimi, Kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosoves i cili për Ekonomia Online tha qeveria nuk po dëshiron bashkëpunim në proceset për parandalimin e koronavirusit.

“Po, po e vërtetë. Po shihet që Qeveria nuk don bashkëpunim të sinqertë me palët e involvuara në proceset për luftimin e parandalimit të përhapjes së COVID 19 e sidomos tani kur rastet kanë filluar të rriten”, tha Ibrahimi për EO.

AKK ishte përjashtuar nga Komiteti edhe gjatë kohës kur Arben Vitia ishte në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, por që pas reagimit edhe të kryetarëve të komunave, ky asociacion është rikthyer përsëri.

Ndërsa, AKK gjatë këtij viti nuk ishte ftuar as në takimin e organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ku do të diskutohej për masat Anti-COVID.

Si rrjedhojë, edhe kryetarët e komunave kishin bojkotuar këtë takim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme