Kryetari i Bordit të BQK-së Bedri Peci vizitë zyrtare në Bankën Qendrore të Suedisë

Prishtinë | 24 Nën 2017 | 08:56 | Nga

Bashkëpunimeve të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës me bankat homologe dhe institucionet financiare ndërkombëtare të Evropës dhe me gjerë i shtohet edhe bashkëpunimi me Bankën e njohur në botë, Riksbank e Suedisë.

Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Bordit Prof. Dr. Bedri Peci dhe i përbërë nga anëtari i Bordit të BQK-së Nuhi Ahmeti, Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare Lulzim Ismajli dhe Udhëheqësi i Divizionit për Parandalimin e Pastrimit të Parave Labinot Preniqi, po qëndrojnë në një vizitë zyrtare në Bankën Qendrore të Suedisë, Riksbank.

Delagacioni u takua me Kryesuesen e Këshillit të Përgjithshëm të Riksbank Susanne Eberstein, Zëvendëskryesuesin e Këshillit të Përgjithshëm Michael Lundholm, Ingves dhe Zëvendësguvernatorin Henry Ohlsson.

Me këtë rast, u diskutuan modeli dhe struktura qeverisëse në Bankën Qendrore të Kosovës dhe atë të Suedisë, gjendja e sektorit financiar, politika monetare, menaxhimi i rezervave shtetërore, rritja e efikasitetit të sistemit të pagesave dhe sfidat kryesore që ballafaqohet bankingu qendror në Republikën e Kosovës.

Përfaqësuesit e Bankës së Suedisë i premtuan delegacionit të BQK-së që t’i ofrojë mbështetje për projektin elektronik të pagesave përmes mobilit të quajtur “Swish” të cilin banka suedeze e ka implementuar kohë më parë.

Në përmbyllje të takimit Kryetari i Bordit të BQK-së Peci ftoi kryesuesen e Këshillit të Përgjithshëm të Bankës Qendrore të Suedisë Eberstein që në një të ardhme të afërt të vizitojë Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, e cila me kënaqësi e pranoi këtë ftesë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme