Në prag të ndeshjes kualifikuese për Euro 2020 që Kosova do ta zhvillojë në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 15:00 kundër Kombëtares së Republikës së Çekisë, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ashtu siç e do tradita, ka shtruar darkë zyrtare për delegacionin pesë anëtarësh të Federatës së Futbollit të Çekisë, në krye me presidentin Martin Malik.
Aty ishin të pranishëm edhe delegati i UEFA-s nga San Marino si dhe nënkryetari Bakir Burri e sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu.
Gjatë kësaj darke presidenti Ademi iu dëshiroi mirëseardhje delegacionit çek në vendin tonë, teksa i njohu ata për zhvillimin e futbollit të Kosovës që nga vitet e hershme e deri më sot dhe për të arriturat dhe strukturën organizative të FFK-së.
Ademi rikujtoi se Kosova është në një seri të shkëlqyeshme prej 14 ndeshjeve pa humbje, gjë e cila ka bërë që FFK të përmendet si storie e suksesit jo vetëm në vendin tonë por edhe kudo në botën e futbollit, derisa shprehur gatishmërinë e një bashkëpunimi më të ngushtë ndërmjet dy federatave simotra.
Ndërkaq, presidenti i FF të Çekisë falënderoi presidentin Ademi për mikpritjen e ngrohtë dhe uroi FFK-në për ngritjen e hovshme në vitet e fundit, transmeton telegraf.
Në fund të darkës të dyja palët uruan që ndeshja e nesërme që është e rëndësisë së madhe për të dyja kombëtaret të kalojë në frymë të korrektësisë maksimale dhe të fitojë më i miri, derisa si zakonisht u shkëmbyen edhe dhurata.