Kryetari i Gjilanit dhe ai i Kamenicës thonë se plani serb për Anamoravën është i dështuar

Prishtinë | 10 Mar 2020 | 18:12 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq vazhdon të kërkojë ndarjen e Kosovës duke insistuar se në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Serbia duhet të përfitojë territor në veri të Kosovës dhe në rajonin e Anamoravës.

Mirëpo kryetarët e dy komunave në rajonin e Anamoravës shprehen se pretendimet serbe për ndarje të Kosovës nuk do të realizohen, raporton KOHA.

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, deklaroi se plani për ndarjen e Kosovës është i vjetër dhe i cili ka dështuar tashmë. Ai thotë se korniza e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të zhvillohet me parime tjera dhe jo në bazë të pretendimeve territoriale.

“Plani serb për zbarkimin e kufijve në Moravë të Gjilanit dhe në Ibër është plan i vjetër dhe është diskutuar në nivele tjera, por pa dijen e Kosovës dhe ky projekt ka qenë nga pala serbe dhe është refuzuar nga shtetet kryesore të BE-së dhe nga SHBA-ja. Për tashmen nuk flitet dhe nuk ka të bëjë asgjë me territorin e Kosovës, kurse tani pritet të ketë krejt parime tjera. Këto gjetje janë për konsum të brendshme në Serbi” ka thënë ai.

E kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka deklaruar se deklaratat e zyrtarëve të shtetit serb për ndarje edhe të rajonit të Anamoravës janë të paqëndrueshme. Ai thotë se nuk ekzistojnë kushtet për ndarje territoriale dhe as për një autonomi të brendshme territoriale.

“Demografia në regjionin e Anamoravës nuk lejon kompaktësi dhe vazhdimësi territoriale sikur ajo në veriun e vendit. Dua të them, këtu nuk ka kushte as për diçka si autonomia e brendshme territoriale. Dhe nuk ka kushte për ndarje territoriale sepse krejt fshatrat me të cilat përkufizohet komuna e Kamenicës pothuajse janë shqiptare. Nuk ka kushte dhe nuk ka mundësi që të ndodhë një gjë e tillë. Nuk ka logjikë”, ka thënë ai. Ai thotë se si kryetar komune nuk ka informacione për dialogun që është zhvilluar ndërmjet zyrtarëve të shtetit të Kosovës dhe të Serbisë.

“Presidenti i Serbisë, Vuçiq ka deklaruar se ideja e tij për ndarjen e territorit të Kosovës ka dështuar. Si kryetar i Kamenicës, por as në ndonjë kapacitet tjetër, nuk kam pasur ndonjëherë rol apo qasje në proces. Me gjithë interesimin, unë di për dialogun, aq sa di opinioni publik në përgjithësi” ka thënë Kastrati.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme