Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa përkujton veprimtarin Enver Maloku, në 21- vjetorin e vrasjes së tij.
“Sot, kujtojmë njërën nga figurat kolosale të LDK-së, intelektualin dhe zërin e lirisë, Enver Maloku.
Kontributi i Enverit, si drejtues i Qendrës për Informim e Kosovës ishte i pazëvendësueshëm. Ishte meritë e Enver Malokut, që në kohë të okupimit të egër serb e luftës së ashpër, fjala u shqiptua guximshëm e pacenueshëm dhe institucioni që drejtoi ai, punoi si kurrë më parë në histori, në informimin dhe sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për krimet që po ndodhnin në Kosovën e viteve të 90-a.
E duket se kjo punë fisnike e atdhetare, po ia zinte rrugën qarqeve antishqiptare – dhe më 11 janar 1999, pranë banesës së tij, ai u vra tinëzisht në prani të familjes së tij.
Edhe pas dy dekadave, vrasja e Enver Malokut mbetet e pandriçuar dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkon me ngulm që secila vrasje e veprimtarëve të LDK-së, të zbardhet deri në fund.
I përjetshëm kujtimi, për Heroin e Kosovës, Enver Malokun!”