Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa gjatë ditës së sotme është takuar me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott i shoqëruar nga Samuel Paice, Kryesues i Departamentit Politik në Ambasadën e MB-së.
Ambasadori Abbott uroi kryetarin Mustafa për mbarëvajtjen e suksesshme të zgjedhjeve parlamentare dhe shprehu interesimin e Mbretërisë së Bashkuar për përkrahjen e procesit të dialogut Kosovë – Serbi.
Kryetari Mustafa njoftoi Ambasadorin Abbott për vazhdimin e takimeve të grupeve punuese të LDK-së me ato të LVV-së për përafrimin e programeve të të dy partive drejt një programi të përbashkët qeverisës. LDK-ja, në Qeverinë e ardhshme, do të përqendrohet në funksionalizimin e shtetit ligjor, arsimit, shëndetësisë, integrimeve evropiane si dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Poashtu, kryetari Mustafa, duke falënderuar Ambasadorin Abbott për përkrahjen e shtetit të tij ndaj Kosovës në të gjitha sferat, potencoi domosdoshmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit Kosovë – Mbretëri e Bashkuar.