Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, as nuk e ka pohuar e as mohuar dorëheqjen e tij nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Këto ditë u raportua në media se pas rezultateve jo të mira të AAK-së në këtë komunë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, Gashi ka dhënë dorëheqje nga kjo parti.
KOHA ka provuar të kontaktojë Xhafer Gashin, por ka qenë e pamundur. Ndërkohë, nëpërmjet Zyrës për informim të Komunës, Gashi ka thënë se tash për tash nuk ka ndonjë qëndrim rreth asaj që është raportuar në media. Për këtë ka thënë se do ta dalë me një komunikatë për media.
“Momentalisht nuk ka ndonjë qëndrim për çështjen e cila po përflitet në portale, në të njëjtën kohë duke vlerësuar bashkëpunimin tonë korrekt, ju njoftoj se për çdo informatë shtesë do të njoftoheni përmes një komunikate për media”, ka thënë Xhafer Gashi nëpërmjet Zyrës për informim të Komunës së Obiliqit.
Në media është raportua se pas dorëheqjes nga AAK, Gashi do t’i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje. Por, këtë e kanë mohuar zyrtarët e kësaj të fundit nëpërmjet një reagimi.
“Lëvizja Vetëvendosje! në Kastriot përgënjeshtron lajmin e plasuar në disa portale se kryetari i Komunës së Kastriotit, Xhafer Gashi ka kaluar në subjektin tonë politik. Lajmet se kryetari i kësaj komune, Xhafer Gashi ka dhënë dorëheqje nga subjekti politik, të cilit i takon nuk ndërlidhen asgjë me Lëvizjen Vetëvendosje! dhe kinse kalimin e tij në subjektin tonë politik”, thuhet në reagimin e VV-së. “Tendenca e viktimizimit dhe kinse ofrimit të këtij individi me Lëvizjen është vetëm një përpjekje për t‘i bërë ballë dështimit të madh në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe dëshirës për të qëndruar në skenen politike. Lëvizja Vetëvendosje! nuk është strehë e asnjë individi apo grup individësh, që kanë keqpërdorur me kompetencat e tyre gjatë ushtrimit të funksionit të tyre zyrtar”.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para në Obiliq me 53.45 për qind, AAK 14.49 për qind, PDK 10.30 për qind dhe LDK me 9.45 për qind.